Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim kryeshefen ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, Alice Albright, vajzën e ish-sekretares amerikane Madeleine Albright.
Konjufca e ka falënderuar Albright, MCC-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për programin “Kompakt” që parasheh ndihmën mbi 200 milionë dollarëshe për ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë në Kosovë, duke e cilësuar si projektin më të madh energjetik që nga paslufta.
Në anën tjetër, Albright përshëndeti gatishmërinë e Kuvendit të Kosovës për të bashkëpunuar me MCC-në. Ajo vlerësoi punën e mirë që ka bërë Kuvendi i Kosovës dhe shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar sa më ngushtë në ndryshimet e nevojshme legjislative për zbatimin e projekteve të MCC-së.
i Konjufca dhe kryeshefja e MCC-së u pajtuan për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.
Në takim morën pjesë edhe Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Sarah Olmstead, drejtoreshë e MCC për Kosovë, Caitlin Reichart, zëvendësdrejtoresha, Jonathan Brooks, zëvendëspresident për Evropë dhe Dan Petrie, shef i stafit të Alice Albright.