Zëvendësministri i Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se ka marrë vendim që çmimi i biletave të autobusit për disa kategori përgjysmohen nga çmimi aktual.
Në lidhje me këtë ka folur Ruzhdi Kurtishaj, kryetar i Shoqatës së Transportuesve, duke thënë se nuk janë të kënaqur me këtë vendim.
Tutje, Kurtishaj paralajmëroi edhe protestë dhe pezullim të punës nga të gjithë operatorët nga e hëna, raporton Gazeta Enigma.
“Realisht vendim i cili është pritur jashtëzakonisht keq nga të gjithë operatoret, jo vetëm nga unë, por nga të gjithë operatorët e transportit rrugor të udhëtarëve, duke filluar nga Kamenica deri në Dragash, dhe nga Kaqaniku deri në Junik, andaj si vendim është i pabazuar dhe si vendim i prek operatorët e transporti rrugor, si vendim është në kundërshtim më ligjin e transportit rrugor”, u shpreh Kurtishaj.
“Veprimet e kompanive të transportit rrugor, në orët e pasdites, kur na është kumtuar ky vendim nga ana e ministrisë, kanë jashtëzakonisht të këqija, ky është një akt administrativ, nuk është një aktiv nënligjor, akti administrativ dallon shumë nga akti nënligjor, dhe si i tillë të gjithë këta operator po e kundërshtojnë, dhe me këtë vendim i ka nxitur operatorët që sa më shpejtë të grumbullohen dhe sigurisht që do të ketë edhe ndoshta një protestë apo një pezullim të gjithë operatorëve aktivitetin e tyre nga e hëna”, shtoi ai./Gazeta Enigma/