Një vit pas ditës kur u dhanë deklaratat hyrëse në gjykimin ndaj Salih Mustafës, të enjten, ka përfunduar gjykimi ndaj tij.
Tanimë çështja konsiderohet e mbyllur dhe trupi gjykues i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia është tërhequr për të kuvenduar lidhur me vendimin që gjykata do të marrë në këtë rast.
Në bazë të Rregullores, vendimi i gjykimit shqiptohet brenda nëntëdhjetë (90) ditësh pas mbylljes së çështjes gjyqësore sipas rregullës 136, dhe në të mund të përfshihet edhe një vendim sipas nenit 22(7) të Ligjit.
“Në qoftë se rrethanat e çështjes kërkojnë zgjatje të mëtejshme të afatit, kjo nuk shkon më shumë se gjashtëdhjetë (60) ditë përveçse kur është absolutisht e nevojshme. Vendimi për zgjatjen e afatit është publik dhe palët e mbrojtësi i viktimave informohen në lidhje me të. Për zgjatjen e afatit jepen arsyet përkatëse”, potencon po ashtu Rregullorja, transmeton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.
Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.