Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar dje se i ka kërkuar presidentes së Kosovës që t’i lirojë nga detyra të gjithë ambasadorët e emëruar politikisht, raporton Gazeta Enigma.
Për këtë vendim që e kthen në Kosovë, Arifi ka thënë se s’ka fjalë.
“Nuk kam koment për vendimin”, tha shkurt Arifi.
Arifi u emërua ambasador më 17 prill të vitit 2019 kur në krye të ekzekutivit ishte Ramush Haradinaj.
Madje, Arifi kishte falënderuar Haradinajn për besimin e dhënë në këtë post, të cilin e konsideroi me rëndësi të posaçme politike dhe ekonomike në atë pjesë të botës.
“Sot kam filluar punën e Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe. Përfaqësimi i duhur i Kosovës në këtë pjesë të botës është me rëndësi të posaçme politike dhe ekonomike. Falënderoj të gjithë ata që ma besuan këtë detyrë e në veçanti Kryeministrin Haradinaj. Si gjithmonë do të jem në funksion të detyrës”, kishte shkruar Arifi.
Ndryshe, Arifi ka qenë anëtar i AAK-së dhe si i tillë ishte pjesë e Ekipit Negociator që kishte mandatuar Kuvendi i Kosovës në vitin 2018.