Duke e justifikuar si të domosdoshme mbylljen për një vit të TikTok-ut, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi të shtunën se platforma sociale ka luajtur një rol edukues negativ, të pakrahasueshëm me praktikën që ndjek kompania kineze në shtetin e saj të origjinës.
“Se është kompani që rrënjët e veta i ka në Kinë, por po ta shikosh në Kinë dhe jashtë saj janë dy TikTok të ndryshëm. TikToku është rrugaçi i lagjes. Kemi frikë kur fëmija shoqërohet me të kur del nga shtëpia. Ne TikTok-un do ta mbyllim për një 1 vit. Rrugaçëri, perversitete, llum e qenëri nuk sheh në TikTok-un e Kinës,” u shpreh Rama.
Në aspektin teknologjik procesi i mbylljes së platformës është parashikuar të zgjasë nga 6–8 javë duke filluar viti i ardhshëm.
“Do ta mbyllim plotësisht për të gjithë. Tiktok në Republikën e Shqipërisë s’do të ketë,” deklaroi kreu i qeverisë.
Qeveria shqiptare thotë se do të ndjekë reagimet e vendeve të tjera për të vendosur zgjatjen apo pezullimin e vendimit për mbylljen.
Kryeministri Rama së bashku me Ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu, prezantuan edhe planin e ri të veprimit për fuqizimin e mekanizmave të sigurisë në shkollë për më shumë cilësi, siguri dhe gjithë-përfshirje.
Kjo fushatë synon të adresojë ndikimin e rrjeteve sociale si TikTok dhe Snapchat te fëmijët dhe të rinjtë, duke promovuar ndërgjegjësimin për rreziqet dhe pasojat e tyre.
Gjatë fjalës në aktivitetin e zhvilluar me përfaqësuesit e këshillave të prindërve dhe komunitetin e mësuesve, kreu i qeverisë Rama tha se ishte tragjedia e fundit pranë shkollës “Fan Noli” që solli reagimin e prindërve dhe jo vetëm, por edhe një plan masash të hartuara nga Ministria për të shmangur përsëritjen e këtyre episodeve.
Rama tha se të gjitha ngjarjet që ndodhin nuk mund të parandalohen dhe të shmangen.