Kandidati i LDK-së, për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli ka reaguar pasi doli i dyti nga numërimi i votave në këtë komunë, shkruan Gazeta Enigma.
Ai i ka falemnderuar mbështetësit dhe strukturat e partisë.
“Nga thellësia e zemrës, një falënderim i madh dhe i sinqertë për secilin prej jush, për besimin, për përkushtimin dhe për dashninë që e dëshmuat gjatë gjithë këtij rrugëtimi të përbashkët. Faleminderit strukturave tona organizative, që me përkushtim e disiplinë e mbajtët çdo ditë gjallë frymën e ndryshimit. Faleminderit aktivistëve tanë të palodhur, që nuk u ndalët asnjë çast, duke trokitur derë më derë, duke biseduar me njerëz e duke përhapur mesazhin tonë me zemër e sinqeritet”, tha ai.
Ismajli s’i la pa falemnderuar edhe qytetarët. “Faleminderit të gjithë qytetarëve të ndershëm të Gjilanit, që e dëshmuat kulturën qytetare, vullnetin dhe pjekurinë demokratike”.
“Kjo fushatë na bashkoi, na mësoi dhe na dha forcë për të vazhduar më të bashkuar se kurrë deri në fitoren për projektin e Gjilanit të ri”.
Ai tha se në këtë rrugëtim, “u pa qartë kush punoi me zemër për kauzën tonë dhe kush u lodh me llogari të vogla, por sinqeriteti, përkushtimi dhe dashnia për qytetin do të mbesin gjithmonë mbi çdo interes personal”.
“Kjo dashni do të na udhëheqë drejt fitores së madhe për Gjilanin”, shtoi ai. / Gazeta Enigma.