PD kërkon nga KQZ që pa auditim mos të bëhet certifikimi i votave nga diaspora

PD kërkon nga KQZ që pa auditim mos të bëhet certifikimi i votave nga diaspora

Partia Demokratike ka kërkuar zyrtarisht nga Komisioni i Zgjedhjeve në Shqipëri që të mos certifikojnë rezultatin për asnjë qark zgjedhor, përfshirë rezultatin e votimit nga diaspora.

PD-ja i ka bërë kërkesë KQZ-së që të mos certifikojë rezultatin zgjedhor derisa të përfundojë një auditim i plotë dhe i pavarur mbi të gjithë procesin.

“Të ndërmarrë menjëherë një auditim të thelluar të gjithë procesit të votimit të diasporës, duke përfshirë: Planifikimin dhe përgatitjen paraprake të procesit; Prodhimin dhe shpërndarjen e fletëve të votimit; Dërgimin, marrjen dhe protokollimin e zarfeve; Procesin e administrimit, hapjes dhe numërimit të tyre”.

“Si dhe çdo akt tjetër i lidhur me këtë proces, që nga regjistrimi i votuesve e deri te shpallja e rezultateve për çdo qark”.

“Kërkojmë që ky auditim të realizohet nga ekspertë të pavarur, të paangazhuar me ndonjë institucion shtetëror apo politik, dhe që rezultatet e tij të bëhen publike në mënyrë të plotë”, thuhet në kërkesën e PD-së.

Tutje, PD-ja tha se pa përfunduar ky auditim dhe pa u bërë transparencë e plotë mbi procesin, shpallja e çdo rezultati për votën e diasporës dhe për çdo qark, sipas tyre, do të ishte një veprim i nxituar dhe në kundërshtim me frymën e ligjit dhe kërkesat minimale të integritetit zgjedhor.

“E konsiderojmë të domosdoshme që KQZ të ndërmarrë këto hapa urgjentë, jo vetëm për të adresuar dështimin katastrofik të këtij procesi, veçanërisht në shtete si Greqia, por edhe për të ruajtur legjitimitetin institucional dhe besimin e qytetarëve në funksionimin demokratik të zgjedhjeve”, thuhet në kërkesë.

Related Articles