Koalicioni PDAK-LPB, subjekt politik i komunitetit ashkali, ka dorëzuar sot ankesë ndaj rivalit të saj politik, Partisë së Ashkalinjve për Integrim (PAI), mbi dyshimet për orkestrim të votave nga diaspora.
Qazim Rrahmani, udhëheqës i koalicionit PDAK-LPB, ka thënë se ka siguruar fakte për orkestrim të votës nga diaspora dhe ka kërkuar që të anulohen votat nga jashtë për PAI-në.
Momentalisht, bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së, PDAK-LPB udhëheq me 153 vota më shumë sesa PAI.
“Jemi në këtë konferencë të jashtëzakonshme për media për të shprehur shqetësimin tonë për orkestrimin e votave nga diaspora. Kjo temë vjen për shkak se nga komuniteti ashkali ne jemi fitues të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Siç e dini edhe ju ne garojmë për një vend të garantuar dhe jemi fitues të këtij komuniteti. Prej datës 9 shkurt, ne na kanë ardhur disa fakte se rivali ynë politik, për Integrim, ka regjistruar vota nga diaspora në grupe të organizuara, ku një person ka regjistruar deri në 50 vota”, tha Qazim Rrahmani.
“Kështu ne si koalicion PDAK-LPB jemi marrë me këtë çështje. I kemi dërguar faktet tona në Prokurorinë Speciale dhe PZAP, si dhe rezultatin e ngushtë për komunitetin ashkali mund ta ndryshojnë votat e diasporës”, tha lideri i koalicionit PDAK-LPB.
Ai kërkoi nga Prokuroria e Shtetit që të ndërmarrë veprime hetimore për rastin.