Abelard Tahiri, Shef i Grupit Parlamnetar të PDK-së njoftoi se si parti janë ankuar ndaj një vendimi të Gjykatës Komerciale në Dhomat e Shkallës së Dytë.
“Gjykata Komerciale, pas shqyrtimit të padisë së një konsorciumi të kompanive private, të cilat kishin kontratë me Ndërmarrjen Publike Banesore për ndërtimin e përbashkët të mbi 60 mijë metrave katrorë, ka vendosur në mënyrë të kundërligjshme dhe të pashembullt që ta detyrojë Ndërmarrjen Publike Banesore të përmbushë një kontratë, afati ligjor i zbatimit të së cilës kishte skaduar”, shkroi ai
Postimi i plotë:
Gjykata Komerciale, e themeluar nga Albulena Haxhiu dhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka vendosur që të dëmtojë interesin publik duke pasuruar një kompani private në dëm të interesit të përgjithshëm dhe taksapaguesve të Republikës së Kosovës.
Gjykata Komerciale, pas shqyrtimit të padisë së një konsorciumi të kompanive private, të cilat kishin kontratë me Ndërmarrjen Publike Banesore për ndërtimin e përbashkët të mbi 60 mijë metrave katrorë, ka vendosur në mënyrë të kundërligjshme dhe të pashembullt që ta detyrojë Ndërmarrjen Publike Banesore të përmbushë një kontratë, afati ligjor i zbatimit të së cilës kishte skaduar.
Kjo kontratë e dëmshme ishte lidhur në mandarin e dytë qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë (2017-2021) e të cilën, PDK, jo vetëm se e ka kundështuar por edhe në rrugë ligjore e kemi kërkuar anulimin e saj.
Edhe pse kërkesëpadia e këtij konsorciumi privat kishte si kërkesë të parë përmbushjen e kontratës dhe si kërkesë të dytë kompensimin e dëmit material dhe fitimit të humbur në vlerë prej mbi 36 milionë euro, Gjykata Komerciale e Kosovës as nuk e refuzoi kërkesën për kompensim të dëmit, por e detyroi Ndërmarrjen Publike Banesore të përmbushte një kontratë, zbatimi i së cilës asnjëherë nuk kishte filluar. Si rrjedhojë, vendimi i gjykatës për të përcaktuar një detyrim për përmbushjen e saj ishte i pabazë dhe i kundërligjshëm.
Ky është një tjetër akt i grabitjes institucionale nga kjo qeveri në ikje – një pushtet i zhytur në dështim dhe korrupsion, që po përpiqet ta zbrazë arkën publike deri në ditën e fundit të mandatit.
Si ish-Ministër i Drejtësisë, kam marrë përsipër të organizoj një ekip prej juristëve më të mirë, me të cilët kam bashkëpunuar për më shumë se 10 vite, nën udhëheqjen e avokatit Faton Fetahu. Puna e këtij ekipi do të jetë krejtësisht pro bono – me qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe ndalimin e kësaj plaçkitjeje ndaj qytetarëve të Kosovës.
Sot, ata kanë dorëzuar ankesën kundër këtij vendimi të paligjshëm në Dhomat e Shkallës së Dytë të kësaj gjykate, dhe betejën për drejtësi, për mbrojtjen e interesit publik dhe të qytetarëve të Prishtinës, do ta ndjekim në çdo hap dhe në çdo instancë gjyqësore.