Krim makabër e dështim të shtetit po e konsideron Partia Demokratike e Kosovës, vrasjen e djeshme të 35 vjeçares në oborr të Klinikës së Gjinekologjisë.
Kjo parti opozitare e ka ftuar në interpelancë kryeministrin Albin Kurti dhe ministrat përkatës, meqë sipas tyre, kanë dështuar për të ofruar siguri juridike për qytetarët e Kosovës.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra ka thënë se Hamide Magashi ka vdekur mbrëmë në duar të shtetit dhe duhet të jap përgjegjësi.
“Edhe më tronditëse bëhet gjendja kur brenda pak ditësh i kemi dy viktima, të vrasjeve të tmerrshme dhe të rënda nga bashkëshortet e tyre. Këto duhet të jenë rastet e fundit dhe alarmi i fundit për shtetin tonë dhe për shoqërinë tonë. Si grupi më i madh parlamentar opozitar ne nuk kemi mundur të qëndrojmë duarkryq dhe nuk kemi mundur të jemi indiferent karshi përballjes me një gjendje të rëndë të viktimave, pothuajse të përjavshme”.
“Prandaj, PDK në mënyrë urgjente sot ka parashtruar mocionin për interpelancë me kryeministrin, për të vënë para përgjegjësisë institucionet qeveritare të cilat me vendimet dhe veprimet e tyre po dështojnë në mënyrë sistematike për të ofruar sigurinë juridike për qytetarët e Kosovës, për vajzat dhe gratë e këtij vendi. Pra po dështojnë për të ofruar mbrojtjen e jetës të shëndetit të trupit të vajzave dhe grave të Kosovës”, ka thënë deputetja Deliu-Kodra.
Para gazetarëve, ajo gjatë se enjtes ka shtuar se në Kosovë çdo ditë po shënohen raste të dhunës dhe krimeve ndaj vajzave e grave. Ajo
“Konsiderojmë që shteti ka përgjegjësi për këto raste të cilat janë raste të rënda të vrasjeve në Kosovë. Pra, rasti i djeshëm i Hamide Magashit, i vrasjes së saj nga bashkëshorti, ishte një krim makabër dhe njëkohësisht dështim i shtetit ku në duart e tij humbi jetën brenda objektit të QKUK-së një grua e cila po priste të sillte në jetë fëmiun e saj”.
“Pra, zonja Magashi edhe pse e kishte një urdhër mbrojtje nga gjykata, institucionet e sigurisë dështuan që t’i ofrojnë mbrojtje dhe të sigurojnë jetën e saj”, ka shtuar ajo.
Edhe deputeti Rashit Qalaj ka shprehur shqetësimin për mos-efikasitetin e institucioneve të drejtësisë. Ai theksoi se shumë nga institucionet në vend po udhëhiqen nga ushtrues detyre, përfshirë edhe të Policisë së Kosovës.
“PDK tërë kohën është institucioneve të vendit që të forcojnë institucionet tona të sigurisë dhe drejtësisë, që të bëjmë të pamundurën që ato nga kapaciteti operacional të jenë më efikase dhe më të përgatitura”.
“Dhe kjo bëhet kur Policisë së Kosovës nuk i ndërhyhet në aspektin operacional, kur institucionet e shtetit nuk udhëhiqen nga ushtrues detyre, kur drejtues të këtyre institucioneve dhe punëtorëve të tyre nuk u zvogëlohen pagat dhe kur punëtorëve të tyre nuk u përmirësohen kushtet e punës dhe çka është më e rëndësishmja kur ata nuk kanë asnjë mbështetje nga institucionet përkatëse. Ne kemi bërë thirrje të vazhdueshme që Policia e Kosovës sa më shpejt të ketë drejtorin e saj”, ka thënë Qalaj në konferencë për media.
Mbrëmë në oborr të Gjinekologjisë është vrarë 35 vjeçarja, e cila po pritej që sot të sjellte në jetë fëmijën e saj. Ajo dyshohet se u vra nga ish-bashkëshorti me një plumb në kokë dhe dy në gjoks.