Dy partitë më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK, kanë kërkuar sërish që Kosova të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.
Këtë kërkesë e bënë sot Shefat e të dy grupeve parlamentare, Abelard Tahiri (PDK) dhe Arben Gashi (LDK).
Tahiri tha se “më së miri do të ishte sikur të shpërndahej Kuvendi dhe në shtator të këtij viti të zgjidhej qeveria e re, ose në të kundërtën Qeveria duhet ta çojë mandatin deri në fund”.
“Sa i përket shpërndarjes së Kuvendit kanë mbetur edhe 2 ditë të dritares kushtetuese që vendit tonë t’i mundësohet që zgjedhjet të mbahen më 30 qershor ose 7 korrik. Këto dy ditë do t’i japin një epilog, e do të presim deri në momentin e fundit, që vendi të shkojë më zgjedhje të jashtëzakonshme që vjeshta ose shtatori ta zë vendin tonë me një kryeministër të ri që e nxjerr Kosovën nga kriza”, tha Tahiri.
Ndërkohë, Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se e vetmja zgjidhje është dorëheqja e kryeministrit Albin Kuerti.
“Po bojkotohet puna e Kuvendit. Sa i përket zgjedhjeve, është zgjidhja, është dorëheqja e kryeministrit. Zgjidhja duhet të jetë dorëheqja. Tani shkuarja në zgjedhje mese planifikon vendi të shkon në zgjedhje koha për të shkuar në korrik është drejt momenteve të veta të fundit”, deklaroi Gashi. /Gazeta Enigma