Dega në Drenas e Partisë Demokratike të Kosovës ka thyer heshtjen lidhur me shkëputjen e Ramiz Lladrovcit, në garat elektorale të 12 tetorit.
Përmes një reagimi zyrtar, PDK-ja në Drenas thotë se vendosja në zyre të reja e partisë vjen si rezultat i qëllimeve përçarëse të Ramiz Lladrovcit.
Dega e partisë pretendon se njerëzit e Lladrovcit kanë demoluar dhe dëmtuar zyret e PDK-së në Drenas, duke e akuzuar të njëjtin se po bën provokime, shkruan IndeksOnline.
“Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë që nga paslufta nuk ka pasur probleme në Drenas në aspektin politik. PDK e ka përkrahur z. Lladrovci në tri gara elektorale, por PDK është më e madhe se cdo individ dhe kur i nënshtrohesh garës, duhet ta pranosh rezultatin.
Themeluesi i Iniciativës së ndarjes nga PDK-ja, si anëtar i Këshillit Drejtues, e ka votuar edhe vetë propozimin që kryesia qendrore të votojë për kandidatët e komunave me ushtrues detyre. E ndërroi gëzofin, sepse s’po e kapërdin dot rezultatin” thuhet mes të tjerash në reagimin e partisë.
Ky është reagimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
na duhet të sqarojmë për opinionin se vendosja në zyre të reja e Partisë Demokratike të Kosovës – dega në Drenas, vjen si rezultat i faktit që themeluesi i iniciativës qytetare që ka qëllim ta përcajë PDK-në ka dalë zyrtarisht nga Partia Demokratike e Kosovës.
Tani është e qartë që shpifjet për PDK-në po bëhen intenzive sepse të gjithë e dinë që Drenasi është shtyllë e pathyeshme e PDK-së dhe e tillë do të vazhdojë të mbetet. Zyra paraprake nga e cila ka dalë z. Lladrovci, sic e thotë edhe vetë ai, është e familjarëve të tij.
Ndërkohë, zyra në të cilën është vendosur PDK – Dega në Drenas, ka qenë në shfrytëzim nga një drejtor i z. Lladrovci dhe disa zyrtarë komunalë. Me të marrë lajmin se këto ambiente i kishte marrë me qera Dega e PDK-së në Drenas, ambientet e zyrës janë demoluar dhe dëmtuar nga të apostrofuarit.
Ne jemi në garë politike, por jemi të gjithë qytetarë të Drenasit dhe të gjithë do të përfitojnë nga qeverisja e mirë e PDK-së. Ata që tashmë e kanë të qartë që do të humbasin, po përpiqen të godasin me insinuata. Por, situata është e qartë: ne i kemi ftuar dhe i ftojmë të gjithë që t’i bashkohen fitores së madhe të PDK-së. Në anën tjetër, i ftojmë simpatizantët e shumtë të PDK-së që t’i përjetojnë me qetësi këto provokime. Fitorja do të jetë masive, por praktika të tilla, me të cilat është mësuar z. Lladrovci, nuk do të ketë në këtë fushatë.
Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë që nga paslufta nuk ka pasur probleme në Drenas në aspektin politik. PDK e ka përkrahur z. Lladrovci në tri gara elektorale, por PDK është më e madhe se cdo individ dhe kur i nënshtrohesh garës, duhet ta pranosh rezultatin.
Themeluesi i Iniciativës së ndarjes nga PDK-ja, si anëtar i Këshillit Drejtues, e ka votuar edhe vetë propozimin që kryesia qendrore të votojë për kandidatët e komunave me ushtrues detyre. E ndërroi gëzofin, sepse s’po e kapërdin dot rezultatin.
Ne zotohemi për garë të qetë, demokratike e fer bashkë me qytetarët e Drenasit. PDK e ka dëshmuar vazhdimisht që është e pjekur dhe e aftë për këtë gjë.
Me respekt,
Partia Demokratike e Kosovës – dega Drenas.