PDK kërkon llogaridhënie për financimin e ekspozitës për masakrat

PDK kërkon llogaridhënie për financimin e ekspozitës për masakrat

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar llogaridhënie për financimin dhe promovimin shtetëror të ekspozitës për masakrat, përmbajtja e së cilës ishte e pasaktë dhe me gabime.

PDK-ja përmes një reagimi e konsideron të papranueshme dhe skandaloze ekspozitën për masakrat e luftës 1998–1999, ekspozitë kjo e Shkëlzen Gashit cila u hap nga 24 marsi në Prishtinë,

“Çdo përpjekje për t’i relativizuar krimet e kryera në Kosovë, për t’i manipuluar faktet apo për ta deformuar të vërtetën, është jo vetëm e papranueshme, por edhe e rrezikshme për kujtesën kolektive dhe drejtësinë historike. Përderisa nga jashtë, veçanërisht në Hagë, po tentohet të rishkruhet historia jonë e lavdishme, nga brenda rishkrimi i saj po financohet me para të shtetit dhe po promovohet nga përfaqësuesit shtetërorë”.

“Kjo ngre dyshime serioze për përgjegjësinë institucionale dhe për standardet e verifikimit të përmbajtjeve që prekin çështje kaq të ndjeshme kombëtare”, thuhet në reagim,

Me këtë rast, Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar:

* Sqarim të plotë publik mbi mënyrën se si është përgatitur dhe miratuar kjo ekspozitë.

* Identifikimin dhe mbajtjen përgjegjës të të gjithë zyrtarëve të përfshirë në financimin dhe promovimin e saj.

* Kërkimfalje publike ndaj familjeve të viktimave dhe qytetarëve të shtetit të Kosovës.

* Hetim për elemente të mundshme të veprës penale, keqpërdorimit të detyrës zyrtare, shpërdorimit të parasë publike dhe cenimit të interesit publik.

“Kosova nuk mund ta ndërtojë të ardhmen e saj mbi deformimin e së vërtetës. Respekti për viktimat dhe mbrojtja e historisë sonë janë detyrime themelore shtetërore”.

“PDK do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të së vërtetës, dinjitetit të viktimave dhe vlerave të luftës çlirimtare”, u tha në reagimin e PDK-së. 

Related Articles