Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës e ka vlerësuar si të drejtë e të domosdoshëm vendimin e Kuvendit të Kosovës për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për menaxhimin e krizës së energjisë nga Qeveria dhe institucionet tjera përgjegjëse, që ishte propozim i Grupit Parlamentar të PDK-së i mbështetur edhe nga deputetë të partive tjera të opozitës.
Në mbledhjen e radhës ku ka diskutuar për zhvillimet politike në vend, kryesia ka vlerësuar se ky Komision do të zbardhë të gjitha keqpërdorimet e bëra me energjinë elektrike.
“PDK si lidere e opozitës po luan rolin e saj demokratik në mbikëqyrjen e punës së qeverisë dhe puna e Komisionit Hetimor Parlamentar do të zbardhë çdo keqpërdorim dhe keqmenaxhim të Qeverisë dhe institucioneve tjera gjatë krizës energjetike, ku qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të paguajnë faturat e energjisë me rritje të çmimit mbi 100 për qind”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Po ashtu, PDK ka caktuar udhëheqësinë e përkohshme në Degën e PDK-së Istog, me kryetar z. Ali Nimanaj si dhe në Obiliq me kryetare Znj. Enisë Haliti.
“Në vazhdën e reformave dhe të konsolidimit të degëve të Partisë Demokratike të Kosovës, në pajtim me vendimin e mbledhjes së fundit të Këshillit Drejtues, si dhe në bazë të nenit 31 të statutit, Kryesia e PDK-së ka vendosur që të caktojë udhëheqësinë e përkohshme në Degën e PDK-së Istog, me kryetar z. Ali Nimanaj si dhe në Obiliq me kryetare Znj. Enisë Haliti, të cilët bashkë me anëtarët e rinj të Kryesive të Degëve përkatëse, kanë përgjegjësi të konsolidojnë të gjitha strukturat e degëve deri në mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta në PDK”, përfundon komunikata.