PDK: Kurti po tenton t’u hedhë hi syve qytetarëve, studentët s’mashtrohen

PDK: Kurti po tenton t’u hedhë hi syve qytetarëve, studentët s’mashtrohen

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë për ndarjen nga 100 euro për studentët në kohë fushate.

Sipas tij, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i është rikthyer praktikës së tij për t’u hedhur hi syve qytetarëve.

Mustafa në Facebook ka shkruar se studentët e Kosovës nuk mashtrohen me vendime të tilla.

“Albin Kurti, i cili të rinjve kosovarë po ua humb çdo shpresë për t’u zhvilluar e për të jetuar mirë në Kosovë, sot i është kthyer praktikës së tij për t’u hedhur hi syve qytetarëve, me nga 100 euro për studentët, në prag të zgjedhjeve. Studentët tanë kanë nevojë për një shtet që funksionon, që krijon mundësi reale për zhvillim dhe që siguron vende pune për një jetë me dinjitet. Studentët tanë nuk mashtrohen!”, ka shkruar ai. 

Qeveria në mbledhjen e mbajtur sot ka ndarë 26 milionë euro për studentët. Ajo ka miratuar ndarjen e  nga 100 eurove për të gjithë studentët, gjithashtu edhe bursën e mobilitetit për studentët e nivelit bachelor, për t’i mbështetur ata që studiojnë larg qytetit ku jetojnë.

Ky vendim është marrë kur kanë mbetur më pak se një javë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

Related Articles