Gjilani vazhdon të përballet me bllokadën e miratimit të buxhetit komunal për vitin 2025, ndërsa përpjekjet për tejkalimin e kësaj situate mes ekzekutivit dhe opozitës nuk kanë sjellë ende rezultat.
Pas thirrjes së kryetarit Alban Hyseni për një seancë të jashtëzakonshme, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Gjilan ka reaguar, duke theksuar se buxheti do të miratohet të enjten, më 27 shkurt, në një seancë të organizuar nga opozita.
“Sipas marrëveshjes së arritur mes subjekteve politike, buxheti i komunës për vitin 2025 do të miratohet të enjten në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita”, thuhet në njoftimin e PDK-së, duke shtuar se “kjo do t’i heqë kryetarit Hyseni një mundësi për t’u viktimizuar”.
Komuna e Gjilanit është e vetmja në Kosovë që ende nuk e ka votuar buxhetin për këtë vit.