Partia Demokratike e Kosovës sonte hapi zyrtarisht fushatën e saj parazgjedhore.
Përtej të gjitha pritshmërive, salla e madhe “1 Tetori” ishte mbushur plot me qytetarë të cilët kanë ardhur për të mbështetur PDK-në dhe kandidatin e saj për kryeministër, Bedri Hamzën, në misionin për “një Kosovë më të mirë”.
Me qindra qytetarë janë ende jashtë sallës, të pamundur për të hyrë brenda, disa qëndruan aty pranë për të shprehur mbështetjen e tyre.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kërkoi që për kandidatin për kryeministër të kësaj partie, Bedri Hamzën të ndërtohet një sallë trefish më e madhe se ajo e “1 Tetorit” në Prishtinë, se ndryshe nuk mund të mbahen tubime.
“Ju faleminderit të gjithëve që jeni këtu, dhe ju kërkoj ndjesë atyre që nuk i ka zënë kjo sallë, por sonte ua kërkojmë një obligim të ri, kryeministrit të ardhshëm Bedri Hamzës t’ia ndërtojmë një sallë trefish të madhe se ndryshe Partia Demokratike e Kosovës nuk mund të mbajë tubime”, u shpreh Krasniqi.