Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë, të dytën pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, në të cilën është diskutuar analiza e brendshme e procesit zgjedhor dhe e rezultatit elektoral.
Në njoftimin e PDK-së thuhet se janë nxjerrë rekomandime konkrete për hapat e mëtejmë politikë dhe organizativë të partisë në të gjitha nivelet.
“Gjatë kësaj mbledhjeje janë adresuar në mënyrë gjithëpërfshirëse të gjitha çështjet që lidhen me zgjedhjet e fundit, ku PDK është renditur si forca e dytë politike, duke ruajtur votën e saj tradicionale. Po ashtu, janë nxjerrë rekomandime konkrete për hapat e mëtejmë politikë dhe organizativë të partisë në të gjitha nivelet”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, PDK-ja ka njoftuar se kryesia ka miratuar vendimin për fillimin e përgatitjeve për zgjedhjet e brendshme partiake, të cilat do të zhvillohen në të gjitha nivelet organizative, nga nëndegët dhe degët, deri te organet qendrore të partisë.
“Ky proces do të nisë gjatë javëve të ardhshme përmes emërimit të grupeve punuese dhe përpilimit të hapave konkretë, me synimin për një proces gjithëpërfshirës, demokratik dhe transparent, që ka për qëllim konsolidimin e strukturave, forcimin e unitetit të brendshëm dhe përgatitjen e PDK-së për sfidat politike”.
“Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar që, mbi bazën e reflektimit dhe përgjegjësisë politike, të vazhdojë ngritjen e saj si parti kryesore opozitare, e organizuar dhe e besueshme, në shërbim të qytetarëve dhe të interesit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
