Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se edhe një herë ky subjekt politik ofron mbështetjen e plotë dhe mirënjohjen më të thellë për të gjitha institucionet e sigurisë, posaçërisht për Policinë e Kosovës për aksionin në Banjskë më 24 shtator.
Sot në selinë e PDK-së është mbajtur takimi i përbashkët i Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të PDK-së, ku u diskutua për situatën e sigurisë në vend.
“Për PDK-në, tashmë është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist ndaj Republikës së Kosovës, adresën kryesore e ka në Beograd. Pjesëmarrja dhe udhëheqja e këtij sulmi nga Millan Radojçiq, miku dhe bashkëpunëtori i ngushtë i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili sot po strehohet dhe po vepron i lirë në Serbi, vërtetojnë një gjë të tillë. Prandaj, edhe sot, u bëjmë thirrje aleatëve tanë ndërkombëtarë që të rrisin presionin ndaj Serbisë për t’i dorëzuar tek autoritetet kosovare, të gjithë terroristët të cilët Serbia i ka marrë në mbrojtje”.
“PDK kërkon veçanërisht nga Bashkimi Evropian, që të marrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, tashmë kur dëshmitë për përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist kundër Kosovës janë të bollshme. PDK vlerëson se vendosja e mijëra trupave ushtarake serbe rreth e përqark kufirit me Kosovën, tregon qartë se synimet destabilizuese të Serbisë kundrejt vendit tonë nuk kanë përfunduar. Në këtë kontekst, PDK kërkon koordinim më të madh të Qeverisë së Kosovës me aleatët strategjikë, para së gjithash me SHBA-në”, thuhet në njoftim.