Profesori i ekonomisë dhe ish-deputeti Muhamet Mustafa, e ka komentuar vendimin e Parlamentit Evropian që serbëve të Kosovës të cilët kanë pasaporta serbe me vendbanime të Kosovës t’iu liberalizohen vizat.
Mustafa, që ishte edhe pjesë e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë në të kaluarën, tha se vendimi i PE-së, inkurajon ekzistencën dhe veprimin e trupave ilegale në Serbi, që sipas tij, janë një reminishencë e regjimit të Millosheviqit.
“Sot u publikua lajmi se edhe qytetarët serbë nga Kosova që disponojnë pasaportë të lëshuar nga e ashtuquajtura “Drejtoria Koordinuese Serbe”, do të mund të përdorin ato dokumente për të gëzuar liberalizimin e vizave. Kjo drejtori është një institucion fantom dhe ilegal, në fakt reminishencë e regjimit të aparteidit që kishte imponuar Millosheviqi në Kosovë në vitet 90’ të shekullit të kaluar”.
“Pas çlirimit të Kosovës, strukturat e tij të instaluara me dhunë dhe në kundërshtim me rendin kushtetues të ish-Jugosllavisë, u tërhoqën brenda Serbisë për të vazhduar aktivitetin e tyre ilegal dhe për të sabotuar e kundërshtuar ndryshimin dhe normalizimin e gjendjes në Kosovë”.
“Prandaj, arsyetimi që u dëgjua gjatë trajtimit të kësaj çështje nga referuesi z. Matjazh Nemec se ‘Kjo siguron që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të ketë të njëjtin regjim vizash për udhëtimet në BE, dhe si i tillë është i rëndësishëm për të parandaluar diskriminimin ndaj këtyre qytetarëve’ është sa absurd po aq manipulativ”, tha ai.
Më tej, ai tha se dihet që serbët të cilët kanë dyshtetësi dhe pasaporta të lëshuara nga organet ilegale të Serbisë, ose ata që kanë pasaporta të lëshuara, pa asnjë problem e diskriminim nga institucionet kompetente në Kosovë, kanë gëzuar si gjithë të tjerët liberalizimin e viazve.
“Andaj nuk është e qartë se ku z. Nemec e gjen këtë diskriminim. Një vendim i tillë në Parlamentin Evropian ka mundur të kalojë vetëm duke i manipuluar faktet për të legalizuar dokumente të një institucioni fantom që vepron për të destabilizuar situatën në Kosove dhe përkeqësuar marrëdhëniet ndëretnike dhe në esencë për të penguar integrimin e komunitetit serb në Kosovë”.
“Mbetet për të shpresuar se instanca e fundit për aprovim të këtij vendimi – Këshilli Evropian – do të korrigjojë këtë lëshim”, shkroi ai.