Kryetari i Komunës së Mitrovicës, njëherit Kryetar i partisë “Guxo”, Faton Peci, në një deklaratë për media ka deklaruar se kjo parti do t’i udhëheqë dy ministri në qeverinë “Kurti 3”, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas Pecit Donika Gërvalla do të jetë Ministre e Drejtësisë dhe Zëvendëskryeministre. Gërvalla ka qenë e paraparë për këtë pozitë edhe në dy qeveritë që nuk ishin votuar në Kuvend, me mandatarë Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën.
“Ne e kemi njëfarë dakordimi në parim. Në prezentimin e kabinetit të ri në përpjekje, Kurti 3, emër i pakontestueshëm është Donika Gërvalla si Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Drejtësisë. Minimalisht do ta kemi edhe një ministri tjetër, por që nuk dihet cila do të jetë ajo”, u shpreh Peci në KlanKosova.
Tutje ai ka theksuar se Guxo do t’i ketë 8 deputetë. Sipas tij, në vitin 2021, nga kampi i VV-së nuk ka pasur gatishmëri që Guxo t’i ketë dy ministri.
“Arsyeja pse më 2021 Guxo e ka marrë ministrinë e dytë, ka qenë emri im. Tash unë e di që ka qenë edhe një eksponent i VV-së aty në listë që ka qenë i pakënaqur që në moment të fundit nuk ka përfunduar ministër, gjë të cilën unë e kam kuptuar pas rreth dy vitesh. Por unë s’kam qenë as fajtor e as shkaktar i kësaj”, deklaroi ai.
