Peci i reagon Osmanit: Po të ishte zbatuar Marrëveshja e Uashingtonit, sot do të kishim gazin

Peci i reagon Osmanit: Po të ishte zbatuar Marrëveshja e Uashingtonit, sot do të kishim gazin

Ish-ambasadori dhe drejtori i KIPRED, Lulzim Peci, ka reaguar fuqishëm ndaj deklaratës së Osmanit, duke e cilësuar si të pavërtetë pretendimin për zbatimin e marrëveshjes.

“Po të ishte zbatuar Marrëveshja e Uashingtonit, sot Kosova do të kishte gazin dhe do të bëhej nyje rajonale e shpërndarjes së tij drejt Shqipërisë veriore, Malit të Zi dhe Serbisë. Zyrtarët e Qeverisë Kurti në vitin 2021 e quanin atë gaz si ‘gaz rus’, ndonëse një pjesë e tij vinte nga SHBA-të në formë të lëngshme”, tha Peci.

Ai shtoi se edhe projekte të tjera të rëndësishme infrastrukturore si hekurudha Prishtinë-Durrës dhe menaxhimi i ujërave të Liqenit të Ujmanit janë lënë pas dore nga qeveria aktuale.

“Mos-zbatimi i kësaj marrëveshjeje është një nga gabimet më të mëdha gjeopolitike me pasoja afatgjate për Kosovën”, paralajmëroi Peci.

Deklaratës së presidentes i ka reaguar edhe Avdullah Hoti, ish-kryeministër dhe nënshkrues i Marrëveshjes së Uashingtonit, i cili e akuzoi Osmanin për hipokrizi dhe përvetësim politik.

“Marrëveshja që dikur e luftonte për vota, sot shërben për lavdi të rreme. Jo, ti dhe Kurti nuk e keni zbatuar këtë marrëveshje. Tani po mundoheni ta përvetësoni për shkak të ndryshimeve në politikën amerikane. Ky është kulmi i mashtrimit politik”, shkroi Hoti.

Ndryshe, marrëveshja e Uashingtonit ishte ndërmjetësuar nga administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe përfshinte një sërë zotimesh ekonomike, përfshirë:

Zhvillimin e infrastrukturës hekurudhore dhe rrugore midis Prishtinës dhe Durrësit,

Menaxhimin e ujërave të Liqenit të Ujmanit me ndërmjetësimin e SHBA-ve,

Projekte për gazifikimin dhe rrjetet e energjisë, dhe

Angazhime për normalizim ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria Kurti në vitin 2021 kishte refuzuar një pjesë të këtyre projekteve, sidomos projektin e gazsjellësit, duke e quajtur “të dëmshëm dhe të panevojshëm”.

Related Articles