Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se pas raportimeve rreth kompanisë ‘Apetit’ që mishin e Brazilit e ka shitur si nga Kosova, ‘i kanë ndërmarrë të gjitha veprimet institucionale’.
Lidhur me emrin e lakuar të një inspektori në këtë dyshim skandaloz, Peci thotë se ‘ai është dërguar në komision disiplinor’.
Deklarata e plotë:
Të dashur qytetarë dhe media,
Mbrëmë dhe sot është raportuar për dyshimin e përfshirjes së një operatori ekonomik të prodhimit dhe tregtimit të mishit dhe mundësisë së përfshirjes së një inspektori të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës në mashtrim e manipulim të dokumenteve zyrtare.
Pa dashur të paragjykojmë të vërteten si dhe duke u nisur nga parimi i prezumimit të pafajsisë, ne nuk kemi qëndruar duarkryq por i kemi ndërmarrë të gjitha veprimet paraprake institucionale.
Inspektori ne fjalë është dërguar në komision disiplinor ndërsa operatorit ekonomik i është vendosur masa e ndalesës për eksport-import.
Për ta vërtetuar dyshimin e ngritur, është formuar komisioni profesional i cili do të bëjë auditimin, gjurmueshmërinë dhe përputhshmërinë e të gjitha hyrje-daljeve të operatorit ekonomik.
Po ashtu janë informuar edhe autoritete tjera si Doganat e Kosovës dhe ATK të cilat do të gjurmojnë për pjesën e mandatit të tyre dhe në të njëjtën kohë do e mbështesim njëra-tjetrën, me të dhënat rreth të gjeturave që burojnë nga kontrollet e detajuara.
Në rast të konfirmimit të pretendimeve të gjithë individët e përfshirë si dhe operatori ekonomik do të përballen me pasoja ligjore dhe administrative.