Ministri i Bujqësië, Faton Peci, ka thënë se ministria të cilin ai e drejton i ofron mbështetje komunave përmes granteve dhe subvencioneve, por ka mohuar se Qeveria po ofron përkrahje më të madhe për komunat që udhëhiqen nga partia në pushtet.
“Absolutisht (përkrahja) është e njëjtë për të gjitha komunat, mund të ndaj me ju një shembull, në kuadër të investimeve kapitale për kategorinë e investimeve në sektorin e ujitjes, ne kemi nënshkruar memorandume me tetë komuna, prej tyre dy komuna që u është ofruar përkrahja janë nga Vetëvendosje, dy janë nga LDK, dy nga PDK dhe dy nga AAK. Përkrahja ka qenë edhe në aspektin e përfaqësimit të rajoneve të Kosovës por edhe në aspektin e përfaqësimit politik, kështu që ne nuk njohim as parti politike në nivel të komunikimit me fermerët, me komunat në proces të realizimit të investimeve”, thotë ministri i Bujqësisë.
Ai thotë se Ministrinë e Bujqësisë e ka gjetur në një situatë të palakmueshme, ndërsa shton se nga fillimi i punës, kjo ministri ka punuar më shumë se të gjitha mandatet e kaluara.
“Fatkeqësisht gjendja në të cilën e kam marrë Ministrinë e Bujqësisë ka qenë në një situatë tejet të palakmueshme, vetëm në një kategori borxhet ndaj fermerëve kanë qenë 40 milionë euro, kështu që e kemi ndryshuar tërësisht ketë pjesë të mënyrës së menaxhimit dhe qasjes në Ministrinë e Bujqësisë, për 1 vit e gjysmë të udhëheqjes së Ministrisë së Bujqësisë nga unë, në këtë rast nga Qeveria Kurti 2, në rast se i marrim për bazë politikat hartuese, dokumentet strategjike, avancimin e legjislacionit dhe përkrahjen financiare, janë më shumë sesa krejt mandatet e tjera paraprakisht”, ka thënë Peci.
Sipas tij, aktualisht fermeri i Kosovës është më i përkrahur në rajon.
Ai përmend situatën jo të favorshme aktuale për shkak të ngritjes së çmimit të imputeve bujqësore, por sipas tij, Qeveria është duke e bërë më të mirën e mundshme që të rrisë përkrahjen për fermerët.
“Përkrahja jonë në kategorinë e subvencioneve shkon deri në 216% , është rritje enorme dhe shumëfishim në të gjitha kategoritë e përkrahjes për fermerët, është përkrahja më e madhe në rajon, është përkrahja më e madhe ndonjëherë e realizuar në sektorin e bujqësisë. Tash ne nuk mundemi si institucione ose si vend i vogël të ndikojmë në nivelin e çmimeve të naftës ose të trendit të produkteve ose imputeve bujqësore që kryesisht kanë ardhur si rezultat i krizës energjetike, efektit të pandemisë dhe luftës në Ukrainë”, përfundoi ministri. /KP