Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar dje një grua në Pejë, e cila ka denoncuar djalin e saj.
Sinjali mëson se 63-vjeçarja ka deklaruar se i dyshuari vazhdimisht ushtron dhunë psikike ndaj saj dhe anëtarëve tjerë të familjes. Bazuar në dëshminë e viktimës, 24-vjeçari para disa ditësh i ka shkaktuar lëndime trupore, pasi e ka rrëzuar.
Nëna ka marrë trajtim mjekësor, ndërkohë që i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor në dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.