Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi ka deklaruar se ata kanë bërë kërkesë me shkrim për takim me kryeministrin Albin Kurti dhe me ministrin e Financave, Hekuran Murati.
Ai ka thënë se nuk e përjashtojnë opsionin e protestave ngase janë të pakënaqur me shtesat prej 10 euro në muaj dhe jo 30 siç ishte në vendimin e mëhershëm që skadoi në muajin prill.
“Ky vendim ka qenë i papritur për faktin se në Kosovë janë mbi 180 mijë pensionistë. Prej tyre janë 140 mijë pensionistë bazikë që marrin pension social. Kështu që ky vendim ka ndikuar shumë në disponimin e tyre. Ata janë të zhgënjyer. Ndoshta Qeveria ka menduar që për një kohë të gjatë të ngrisë pensionin në 10 euro, por 10 euro nuk është kurrfarë vlere te pensionistët bazikë për shkak se ata i kanë 90 euro dhe u shtohen 10 që nuk është bazë për jetën e tyre”, ka thënë ai
Opozita vlerëson se nuk janë të pranueshme shtesat mujore në vlerë prej 10 euro për pensionistët dhe ata kërkojnë që shtesat pensionale t’i marrin në vlerë prej 30 eurove. Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka deklaruar se ata do të kërkojnë që shtesat të jenë në vlerë prej 30 euro. Ky subjekt madje ka ftuar në interpelancë ministrin e Financave dhe Transfereve, Hekuran Muratin.
E ministri Murati ka thënë se vendimi i Qeverisë paraprake pas muajit prill nuk kishte planifikuar vazhdimin e dyfishimit të ndihmës sociale dhe shtesat prej 30 eurosh për pensionistët që marrin më pak se 100 euro. Ai ka shtuar se Qeveria ka ndarë 8.5 milionë euro për të mbështetur skemat e pensioneve nën 100 euro dhe familjet në asistencë sociale.