Pentagoni ka dhënë dritën jeshile për t’i ofruar Ukrainës raketa me rreze të gjatë veprimi “Tomahawk”, pasi ka vlerësuar se kjo nuk do të ndikojë negativisht në rezervat ushtarake të SHBA-ve. Megjithatë, siç shkruan CNN, vendimi përfundimtar politik i mbetet presidentit Donald Trump.
Më herët këtë muaj, gjatë një dreke pune në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, Trump deklaroi se nuk dëshironte t’i jepte raketat sepse “nuk duam të japim gjëra që na duhen për të mbrojtur vendin tonë.”
Vlerësimi i Pentagonit iu komunikua Shtëpisë së Bardhë pak para takimit me Zelensky-n, i cili i ka kërkuar raketat për të goditur më efektivisht objektivat e naftës dhe energjisë brenda territorit rus. Raketat “Tomahawk” kanë një rreze veprimi rreth 1 mijë e 600 kilometra.
Ky zhvillim u prit pozitivisht nga aleatët europianë të SHBA-ve, të cilët besojnë se tashmë ka më pak arsye për të mos i dërguar raketat Ukrainës.
Vetë Trump kishte thënë disa ditë para takimit me Zelensky se SHBA-të “kanë shumë Tomahawk” që mund t’ia japin Ukrainës. Megjithatë, zyrtarët amerikanë dhe europianë u befasuan kur Trump ndryshoi qëndrim, duke deklaruar publikisht se SHBA-të “kanë nevojë” për Tomahawk-ët dhe më pas i tha Zelensky-t privatisht se nuk do t’i dërgonte, të paktën jo për momentin.
Ky vendim erdhi një ditë pas një telefonate me presidentin rus Vladimir Putin, i cili paralajmëroi Trump-in se “Tomahawk”-ët mund të godasin qytete të mëdha si Moska dhe Shën Petersburgu, pa pasur ndikim të madh në fushën e betejës, por duke dëmtuar marrëdhëniet SHBA-Rusi, sipas raportimeve të CNN.
Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni nuk kanë komentuar mbi çështjen. Burime pranë CNN thonë se Trump nuk e ka hequr përfundimisht opsionin nga tavolina dhe administrata ka përgatitur plane për t’i dërguar raketat menjëherë nëse ai jep urdhërin. Trump është shprehur gjithashtu i zhgënjyer nga mungesa e gatishmërisë së Putinit për të shqyrtuar seriozisht bisedimet e paqes, duke miratuar javën e kaluar sanksione të reja ndaj kompanive ruse të naftës dhe duke anuluar përkohësisht një takim të planifikuar me Putin-in në Budapest.
Ndërkohë që Pentagoni nuk ka shqetësime për rezervat, zyrtarët e mbrojtjes amerikane po shqyrtojnë mënyrat se si Ukraina do të trajnohet dhe do të përdorë raketat në mënyrë efektive. Ka ende disa çështje operative që duhen zgjidhur. Një pikëpyetje e madhe është si do t’i lëshojë Ukraina raketat nëse i merr. “Tomahawk”-ët zakonisht lëshohen nga anije luftarake ose nëndetëse, por marina ukrainase është e dobësuar, ndaj raketat do të duhej të lëshoheshin nga toka. Korpusi i Marinës dhe Ushtria Amerikane kanë zhvilluar lëshues tokësorë që mund t’i ofrohen Ukrainës.
Edhe nëse SHBA-të nuk i japin lëshuesit, zyrtarët europianë besojnë se Ukraina mund të gjejë një zgjidhje alternative. Një zyrtar përmendi se inxhinierët ukrainas arritën të përshtasin raketat britanike Storm Shadow, të dizajnuara për avionët modernë të NATO-s, me flotën e vjetër sovjetike të avionëve ukrainas.
Në një postim në X këtë javë, Zelensky tha se Ukraina shpreson të zgjerojë kapacitetet e saj me rreze të gjatë deri në fund të vitit për ta përmbyllur luftën “me kushte të drejta” për vendin.
“Sanksionet globale dhe precizioni ynë po sinkronizohen për ta përmbyllur këtë luftë me kushte të drejta për Ukrainën,” shkroi ai. “Të gjitha objektivat për goditje të thella duhet të jenë të garantuara deri në fund të vitit, përfshirë zgjerimin e kapacitetit tonë me rreze të gjatë.”
