Në zgjedhjet parlamentare në Gjermani, morën pjesë 4 shqiptarë, të cilët garuan për një vend në Bundestag. Mes tyre, Dafina Berisha, Afërdita Suka, Kastriot Krasniqi dhe Kolë Gjoka garuan me rreth 6 mijë kandidatë të tjerë, në zgjedhjet më të rëndësishme të Evropës.
Megjithatë, e vetmja që arriti të zgjidhet deputete në Bundestag ishte Afërdita Suka, duke u bërë kështu deputetja e parë shqiptare e zgjedhur në Parlamentin Gjerman.
Ish-kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu shkruan, përmes një postimi në Facebook, se Suka është është zgjedhur deputete në Landin e Berlinit për Partinë e Gjelbër, duke shprehur hapur krenarinë.
Partia e Gjelbër, sipas exit-poll, ka arritur të fitojë një numër të konsiderueshëm vendesh në Bundestag, 114 të tilla, ose thënë ndryshe ka marrë 14.3% të votave.
Afërdita Suka është nga Kosova dhe për shumë vite ajo është angazhuar në Gjermani në mbështetje të emigrantëve, duke u vlerësuar edhe me çmime të ndryshme.
Ajo garoi në një lagje të banuar pak nga shqiptarët, e megjithatë mbështetja nga komuniteti për të ishte tepër e madhe.
Rreth 60.4 milionë gjermanë votuan për Bundestagun e 20-të, për të zgjedhur pasardhësin e kancelares Angela Merkel pas 16 vitesh në detyrë, por ajo që ka rënë në sy është pjesëmarrja e lartë në votim. Fituese ndërkohë ishte partia Social Demokrate (SPD), partia kundërshtare e Merkel, me lider Olaf Scholz.