Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin, Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca kanë vendosur sot kurora lulesh te memoriali i personave të zhdukur.
Osmani u shpreh se liria do të ketë kuptim në Kosovë atëherë kur të ketë drejtësi për të gjithë njerëzit tanë dhe kur plaga e familjarëve të shërohet.
“Fati i gjithë Kosovës është i lidhur drejtpërsëdrejti me fatin e mbi 1600 familjarëve më të dashurve tanë. Në Kosovë liria do të ketë kuptim vetëm atë ditë kur të rikthehen qytetarët tanë, vetëm atë ditë që plaga e këtyre familjarëve do të mund të mbyllet apo shërohet pasi të zbulohet fati i të pagjeturve”, u shpreh Osmani.
Osmani tutje tha se për Kosovën nuk ka gjë më të rëndësishme se sa zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, theksoi se të gjitha masakrat që ka kryer Serbia në Kosovë janë akte të gjenocidit.
“Serbia përveç që ka vrarë njerëz të pafajshëm, krimi tjetër i shumëfishtë është se shumë prej tyre i ka rrëmbyer dhe i ka zhdukur me dhunë. Në serbi ka dhjetëra jo vetëm të varrezave masive, por shumë prej tyre nuk janë zbuluar e Serbia ende i mbanë të fshehura. Ato i din vetëm autoritet e Serbisë”, tha Konjufca.
Konjufca theksoi se nuk mund të ketë qetësi pa drejtësi në Kosovë.
Në anën tjetër kryeministri, Albin Kurti, tha se të zhdukurit me dhunë në luftën e fundit në Kosovë duhet të jenë në përgjegjësinë institucionale.
“Sot e shënojmë edhe 22 vjetorin e masakrës së Mejës që është dëshmi e gjenocidit në Kosovë. Duhet që ekzekutorët dhe urdhërdhënësit e gjenocidit dhe masakrave të panumërta të sjellën para drejtësisë që të akuzohen, gjykohen e dënohen . Kjo është një plagë e hapur që nuk e mbyll kalimi i kohës”, tha Kurti.
Ai u zotua që së bashku me presidenten dhe kryetarin e Kuvendit do të bëjnë çdo gjë për të zbardhur fatin e tyre.
/Gazeta Enigma/