Analisti politik, Dardan Sejdiu, ka thënë se diskutimi rreth emrave të përveçëm se kush është bërë deputet e kush jo, në këtë kohë është për marre.
Kjo pasi sipas tij, gjërat në arenën ndërkombëtare po zhvillohen shpejt, ku e përmendi takimin mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Federatës Ruse.
“Diskutimi rreth emrave të përveçëm, në këtë kohë është për marre, duke e pasur parasysh sa shpejt po zhvillohen gjerat në arenën ndërkombëtare”.
“Ka ndodhur një takim mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Federatës Ruse, flasin për një konflikt ku pala e cila po e mbron territorin e vet nuk është fare në tavolinë”, tha Sejdiu në Rubikon.
Më tej, ai tha me ritmin aktual të numërimit të votave dhe procesit të certifikimit të rezultateve përfundimtare, vendin do ta zë qershori pa qeveri.
“Me këtë ritëm që po shkojmë ne me numërim dhe certifikim, larg është formimi i qeverisë dhe në rrethana më të mira sic po e shoh unë situatën, qershori do të na zë e ne do të flasim se kush me kë”.
“Në krejt këtë kontekst që jemi, ajo që është edhe më brengosese për mua, është lehtësia që qeveria aktuale i trajton ende marrëdhëniet me jashtë”, tha ai.