Kryeministrja serbe, Ana Brënabiq, ka deklaruar se shefi i saj “është ende duke menduar nëse do të shkojë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë” më 6 dhjetor.
Bërnabiq ka deklaruar për televizionin serb të afërt me pushtetin “TV Pink” se beson se “është e rëndësishme që ai të jetë në Tiranë, sepse askush nuk ka kredibilitet të tillë si Aleksandar Vuçiqi”, dhe se Bashkimi Evropian ka treguar “hipokrizi të pabesueshme” në lidhje me liberalizimin e shpallur të vizave për Kosovën, transmeton Paparaci.
Duke folur për “dështimet e autoriteteve të Kosovës”, për të cilat ajo vlerësoi se Bashkimi Evropian nuk i ka marrë parasysh gjatë marrjes së këtij vendimi, Bërnabiq ka pretenduar se Qeveria e Kosovës e kryesuar nga Albin Kurti “ua ndaloi serbëve të votojnë dy herë”, gjë që është “shkelje brutale” e Marrëveshjes së Brukselit.
Bërnabiq gjithashtu i përsëritë fjalët e shefit të saj “se emërimi i Nenad Rashiqit Ministër për Komunitete dhe Kthim “në të ashtuquajturën Qeveri të Kosovës” si përfaqësues i serbëve, si dhe emërimi i Rada Trajkoviqit për zëvendësen e tij, në vend të ministrit nga Lista Serbe, i cili dha dorëheqje me kërkesë të Beogradit, bazohet në “1500 vota” aq sa partia e Rashiqit ka marrë në zgjedhje, krahasuar me Lista Serbe, e cila mori “30 herë më shumë vota” në këto zgjedhje, por duke mos përmendur vjedhjen masive të dhunshme të votave që u bënë nëpër vendbanimet serbe nga kriminelët serbë në favor të Listës Serbe.
Ajo ka thënë se “nuk e njeh Kushtetutën e Kosovës”, dhe se për të “Kushtetuta e Kosovës është si ajo e Karaburmës (një lagje në Beograd)”, ku flet për të njëjtën Kushtetutë, për të cilën shërbëtorët e pushtetit serb nga Lista Serbe, pretendojnë se është shkelur me emërimin e Rashiqit në postin e tij.