Në Rumani vazhdojnë zhvillimet lidhur me ndeshjen e futbollit ndaj Kosovës. Pasi u hodh shorti i kualifikimeve për Euro 2024, në Rumani kishte propozime që të bojkotohen ndeshjet me Kosovën. Kjo pasi Rumania nuk e njeh Kosovën si shtet. Nga kjo ide e çmendur u hoq dorë menjëherë, ndërsa tani në Federatën e Futbollit të Rumanisë po shqyrtojnë mundësinë që tifozëve rumunë t’u ndalohet ardhja në Kosovë. Dhe arsyeja për këtë është goxha kundërthënëse.
Kosova e pret Rumaninë më 16 qershor në “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshja i takon Grupit I të kualifikimeve për Euro 2024.
Mediumi rumun “Agerpres.ro” ka shkruar se tifozëve rumunë mund t’u ndalohet udhëtimi për në Kosovë për shkak të incidenteve që po ndodhin në veri të vendit.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Rumanisë, Razvan Burleanu ka deklaruar të martën në një konferencë për shtyp se është i brengosur për situatën në veri të Kosovës dhe për këtë arsye ekziston mundësia që përfaqësuesja e Rumanisë nuk do të përkrahet nga tifozët në tribuna.