Prerja ilegale e pyjeve është një dukuri e shpeshtë në vendin tonë. Kosovarët jo rrallëherë kapen në flagrancë duke prerë dru në pyje apo duke i transportuar ato, por shpeshherë edhe arrijnë që të ikin nga duart e drejtësisë.
Në hall me këtë është një person nga fshati Korbliq i Kaçanikut, i cili ka raportuar se persona të panjohur ia kanë vjedhur drunjtë në malin e tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 52-vjeçari ka deklaruar se për rreth 3 vite të dyshuarit kanë vjedhur rreth 500 metra drunj dhe kjo i ka shkaktuar dëme materiale në vlerë të rreth 500 eurove.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë marrë veprimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe kapjen e të dyshuarve, teksa me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Vjedhje e pyllit’.