Drita do të zhvillojë ndeshjen kthyese të rrethit të tretë të Ligës së Konferencës këtë javë në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Skuadra nga Gjilani do të tentojë kalimin në “play-off” të grupeve, diçka që se ka bërë asnjëherë në histori të klubit, raporton Sinjali Sporti.
Përballë ata do të kenë skuadrën e Letonisë, KF Auda, e cila fitoi minimalisht ndeshjen e parë në terren të vet.
E për të kërkuar një përmbysje të rezultatit dhe një kalim në fazën e ‘play-off’, Drita do të kërkojë mbështetjen e tifozëve në Prishtinë.
Klubi ‘badhekaltër’ ka vënë në dispozicion biletat për shitje që nga dita e djeshme, ku ka dhënë detaje për çmimet si dhe ku mund të blihen ato.
Në Gjilan, ato mund të gjinden tek pika e shitjes e cila është vendosur te: Teatri i Qytetit dhe Sheshi (afër Hotel Kristal)
Ndërsa ditën e ndeshjes ato do të gjinden në pikat e shitjes në Prishtinë tek stadiumi ”Fadil Vokrri”.
Çmimet e biletave janë: Lindje: 5€, Perëndim: 10€, VIP: 20€ dhe Jug: FALAS (Për tifozët tanë Intelektualët).
Dueli do të zhvillohet të enjten, me fillim nga ora 20:00.
Në rast kualifikimi, Drita do të përballej në “play-off” me fituesin e duelit Brondby-Legia Varshava, duel ky që do të përcaktonte skuadrën që do t’i përbënte grupet e Ligës së Konferencës.