Kryetarja e partisë Guxo, Donika Gërvalla, ka reaguar pas raportimeve për shuarje të strukturave të Guxo-s në Pejë dhe Ferizaj.
E para e MPJD-së fillimisht sulmoi mediat, duke thënë se “me agresivitet të pazakonshëm dhe të panevojshëm sulmojnë Partinë Guxo”.
Për shuarjen e këtyre dy strukturave, Gërvalla tha se kjo po bëhet nga akterët që po “shprehin mllefin që nuk u kandiduan për deputetë”.
“Gjithmonë ka pasur dhe do të ketë persona, të cilët kur nuk përfshihen, për arsye të ndryshme, në listën e kandidatëve për deputetë, tek atëherë aktivizohen e zgjohen. Mllefin, jo rrallë, e shprehin duke personalizuar e privatizuar strukturat partiake dhe duke pretenduar se partia po shuhet pse ata nuk janë në lista zgjedhore”, shkroi Gërvalla në një postim në Facebook.
“Partia Guxo dhe e gjithë struktura e saj, dhe këtë e them me përgjegjësinë jo vetëm të bashkëkryetares së Partisë Guxo, por edhe si kryetare e Degës së Partisë Guxo në Pejë, sot është më e fortë, më e konsoliduar e më unike se kurrë. Me listën tonë prej 15 kandidatësh, në partneritet me VV dhe Alternativën, në zgjedhjet e 9 Shkurtit do të fitojmë fuqishëm e do të vazhdojmë punët e mira për Kosovën!”, u shpreh tutje Gërvalla. /Gazeta Enigma