Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu dhe deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, kanë takuar sot në Bruksel emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Lutfiu njoftoi se në takim është biseduar, mes tjerash, edhe për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginë.
“E njoftuam z. Lajçak për hezitimin dhe mosgatishmërinë e shtetit (Serbisë) për të integruar shqiptarët nëpër institucione shtetërore e për gatishmërinë që sistemi shtetëror e ka treguar për pasivizimin e (adresave të, shën.red.) shqiptareve”.
“Mosintegrimi i shqiptarëve në institucione i bënë institucionet jokredibile e diskriminuese, ndërsa aplikimi i pasivizimit tendencioz në vendet ku jetojnë shqiptarët mundëson ndryshimin e strukturës etnike në ato vendbanime. Medvegja është shembulli më i mirë”, ka thënë Lutfiu në një postim në Facebook.
Veç tjerash, ai tha se Lajçakun e kanë njoftuar edhe për rëndësinë dhe impaktin që për të diplomuarit nga Lugina do të kishte njohja e diplomave të Kosovës dhe se njohja e tyre do të nënkuptonte mundësi për një perspektivë të re për Luginën.
Sipas tij, e ardhmja evropiane duhet të jetë e vetmja rrugë për Ballkanin Perëndimor ndërsa të drejtat e njeriut dhe pakicave duhet të jenë parakusht esencial i vazhdimit të rrugës së mëtejme drejtë Bashkimit Evropian.