Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga gjykata ndaj të pandehurit F.M për veprat penale “Organizmi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
I pandehuri F.M., nga data e pavërtetuar e deri më 02 gusht 2022, në një kafene në Gjakovë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndalimin e Lojërave të Fatit, organizon dhe merr pjesë në zhvillimin e veprimtarisë së lojërave të fatit – baste sportive, ku nga bastet e luajtura nga Sh. H., i pandehuri përfiton para në shumën prej 60.000 (gjashtëdhjetë mijë) euro.
Gjithashtu, i pandehuri F.M., më parë e deri më 09 gusht 2022, pa autorizim, ka mbajtur armë dhe municion në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ku të njëjtat i janë konfiskuar nga ana e policisë.
Prokurori i rastit, ndaj të pandehurit F.M., ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.