Ambasadorja gjermane në Serbi, Anke Konrad, ka thënë se në procesin e dialogut më e rëndësishmja është që Kosova dhe Serbia të jenë fituesit më të mëdhenj, për hir të së ardhmes së të rinjve dhe perspektivës më të mirë për të dyja palët.
“Gjermania gjithmonë e mbështet atë rrugë”, u tha ajo gazetarëve në Kragujevc, raporton “Tanjug”.
Ajo theksoi se ka çështje për të cilat mendimet e Serbisë dhe Gjermanisë ndryshojnë, “gjë që është normale kur bëhet fjalë për miqtë, të cilët në rastin e Serbisë dhe Gjermanisë, gjithçka e zgjidhin me dialog të hapur, si dhe në rastin e zgjidhjes së çështjes” mes Kosovës dhe Serbisë.
“Është gjithmonë e rëndësishme të flasim me njëri-tjetrin dhe të arrijmë zgjidhjen më të mirë. Procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është shumë i rëndësishëm. Dhe pikërisht këtë e trajton propozimi franko-gjerman, i cili në fakt është një propozim evropian”, tha Konrad.