Përfundon protesta e madhe e studentëve në Beograd

Përfundon protesta e madhe e studentëve në Beograd

Mijëra qytetarë protestuan në Beograd, pas thirrjes së studentëve, të cilët, për më shumë se katër muaj, kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në Novi Sad.

Pesëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar. Që nga ajo kohë, studentët – të mbështetur edhe nga akademikë dhe qytetarë të tjerë – organizojnë protesta dhe bllokojnë fakultete.

Si kundërpërgjigje, një grup i quajtur “Studentët 2.0” u mblodh në Parkun e Pionierit në Beograd para dhjetë ditësh, duke kërkuar që t’iu jepet fund bllokadave në fakultete.

Protestuesit duke u larguar nga Sheshi Sllavija

Turma në Sheshin Sllavija të Beogradit nisi të shpërndahej, pasi studentët që organizuan protestën, njoftuan se ajo ka përfunduar.

Studentët në bllokadë: Protesta jonë po përfundon

“Protesta e studentëve po përfundon. Rojet tona i kanë hequr jelekët. U bëjmë thirrje qytetarëve që të tërhiqen”, shkruan organizatorët në rrjetet sociale.

Grupi i quajtur “Studentët 2.0”, që i kundërshton ata, raportohet të ketë gjuajtur me gurë dhe shishe në drejtim të tyre.

MPB-ja kërkon që të ndalen të gjitha sulmet dhe provokimet ndaj policisë

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tha se ka bërë thirrjen e fundit për ndalimin e menjëhershëm të të gjitha sulmeve dhe provokimeve ndaj punonjësve të policisë, në të kundërtën tha se policia do të ndërhyjë dhe do t’i mbrojë efektivët e saj konform ligjit.

Në deklaratë thuhet se disa incidente dhe përleshje kanë ndodhur në disa lokacione në qendër të Beogradit “midis disa pjesëmarrësve në protestë, të cilët sulmuan vazhdimisht policët, duke u përpjekur t’i pengojnë ata në kryerjen e detyrës”.

Related Articles