Ka përfunduar seanca dëgjimore për pesë zyrtarët policorë që dyshohen për vrasjen nga pakujdesia të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili ndërroi jetë në orët e para të së hënës në Lipjan, me pranga në duar.
Pesë të dyshuarit, përfshirë një rreshter dhe katër zyrtarë të tjerë policorë, janë paraqitur sot në mëngjes në Gjykatën Themelore në Prishtinë – dega në Lipjan, ku u mbajt seanca për caktimin e masës së sigurisë.
Prokuroria ka kërkuar 30 ditë paraburgim, por ende nuk është bërë publike nëse kjo kërkesë është miratuar nga gjykata.
Sipas njoftimeve të Policisë, Agon Zejnullahu dyshohej se ishte “nën ndikim të alkoolit dhe po sulmonte automjete e kalimtarë” në rrugën “Haradin Bajrami”. Pas ndërhyrjes së njësive policore dhe përdorimit të forcës për ta ndaluar, 27-vjeçari ndërroi jetë.
Rasti ka ngjallur reagime të shumta publike dhe politike, ndërsa IPK arrestoi pesë policët më pas.
Rasti është duke u trajtuar si vrasje nga pakujdesia, ndërsa është kërkuar hetim i plotë për zbardhjen e ngjarjes.