Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka përfunduar seanca ndaj, Sllagjan Trajkoviq, ish-zyrtarit policor serb në radhët e Policisë së Kosovës, i cili është arrestuar nga Policia nën dyshimet për krime të luftës.
Ndaj të njëjtit Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se Sllagjan Trajkoviq së bashku edhe me persona të tjerë të uniformuar ka marrë pjesë në ofensivën ushtarake të datës 06.04.1999, në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në ofensivën e datës 02.05.1999, në qytetin e Vushtrrisë.
“I pandehuri S.T dyshohet se ka kryer veprat penale Krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së të paraparë edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, Krime të luftës në shkelje të rëndë të konventave të Gjenevës neni 144 të KPRK-së, Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për katër konventat e Gjenevës nga neni 145 dhe 146 te KPRK-së dhe Organizimi i grupeve për kryerjen e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës neni 154, ndërlidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.