Luljeta Plakolli-Kasumi, me 9 vota ‘për’, është zgjedhur ushtruese e detyrës së Rektorit të Universitetit të Prishtinës. Ky zhvillim erdhi pas shkarkimit që iu bë sot Naser Sahitit prej kësaj pozite nga ana e Këshillit Drejtues. Ajo përpos që del të jetë familjare e presidentes Vjosa Osmani, Periskopi mëson se dikur që të dyja ishin edhe ortake biznesi.
Plakolli-Kasumi, fillimisht tha të mos ketë pasë informata se do emërohej si u.d në krye të Rektoratit, e as nëse emri i saj do të propozohej si pasuese e përkohshme e rektorit Sahiti. Megjithatë, e konfirmoi se është familjare e presidentes Vjosa Osmani, duke u arsyetuar se janë veç ‘kushërira të largëta’.
“Nëse m’u ka propozuar emri, ajo është me siguri për shkak të meritave të mia, punës time jo pse jam familjare e dikujt”, ka thënë ajo për RTV Dukagjini.
Periskopi ka mësuar se zonja Plakolli-Kasumi dhe presidente Vjosa Osmani kanë qenë ortake në një biznes. Bëhet fjalë për kompaninë që kryen aktivitete juridike me emrin “FIRST LEGAL SOLUTIONS”.
Plakolli-Kasumi ishte larguar nga ortakëria e biznesit në fjalë kohë më parë, ndërsa Presidentja Osmani ishte larguar para rreth dy viteve. Në deklarimin e pasurisë që Osmani e kishte bërë në Agjencinë Kundër Korrupsion në vitin 2020, ajo kishte deklaruar se kishte 20 për qind të aksioneve në këtë biznes.
Ndërkohë, ‘gjurmët’ e Plakolli-Kasumit në FIRST LEGAL SOLUTIONS” kanë mbetur akoma në internet, ndërsa puna e saj në këtë biznes nuk figuron në CV-në e saj.
Periskopi ka provuar të marrë një prononcim nga u.d drejtuesja e re e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, por ajo nuk është përgjigjur në thirrjet telefonike, as nëpërmjet SMS-ve. /PERISKOPI/