Akademik Rexhep Qosja e ka përkujtuar shkrimtarin e madh shqiptar Ismail Kadare në ditëlindjen e këtij të fundit, raporton Gazeta Enigma.
Ai e ka vlerësuar lartë rolin e Kadaresë si shkrimtar.
“Sot, duke e kujtuar Ismail Kadarenë në 90-vjetorin e lindjes së tij, unë ndiej nevojë të theksoj diçka të rëndësishme: madhështia e tij si shkrimtar dhe rëndësia e tij historike për kulturën shqiptare janë përtej çdo mospajtimi. Letërsia nuk matet me pajtime apo mospajtime personale, por me thellësinë e mendimit, me fuqinë e gjuhës dhe me ndikimin e saj afatgjatë. Ismail Kadare ishte dhe mbetet para së gjithash shkrimtar i kombit të vet. Ai e deshi Shqipërinë jo në mënyrë deklarative, por krijuese. Ai e deshi atë duke e shndërruar historinë, dramën dhe shpirtin shqiptar në letërsi të madhe”, ka shkruar Qosja në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka vlerësuar se Kadare është një nga emrat më përfaqësues të letërsisë shqipe.
“Ai është shkrimtari që e futi përvojën historike, mitike dhe etike të shqiptarëve në hartën e madhe të letërsisë evropiane dhe botërore. Me romanet, esetë, poezinë dhe publicistikën e tij, ai i dha gjuhës shqipe një përmasë universale dhe i dha kulturës shqiptare një zë të dallueshëm, të dëgjuar dhe të respektuar. Ismail Kadare dhe unë jemi njohur dhe jemi afruar qysh në vitet shtatëdhjetë. Kemi qenë miq, bashkëbisedues, lexues dhe kritikë të njëri-tjetrit. Kemi shkruar për veprën e njëri-tjetrit dhe kemi ndarë vlerësime të ndërsjella. Ne, të dy, secili në anën e vet të kufirit që na ndante, u përballëm me fate të ndryshme, të rënda dhe shpeshherë të padrejta. Rrethanat historike, politike dhe shoqërore, të cilat nuk i zgjodhëm ne, por që na u imponuan, na vunë përballë provave morale dhe intelektuale që kërkonin jo vetëm qëndresë, por edhe vendime të vështira personale”, ka shkruar Qosja, duke folur për azilin politik të Kadaresë.
“Kërkimi i azilit politik nga Ismail Kadare në Francë, në vitin 1990, u keqkuptua nga shumëkush që nuk e kuptonte peshën morale të asaj kohe. Në disa paraqitje publike në medie, dhe veçanërisht në një deklaratë të dhënë për Zërin e Amerikës, unë arsyetova se si ky akt nuk ishte arratisje nga atdheu, por refuzim i një sistemi që i kishte vënë kufij të padukshëm, por të hekurt, mendimit të lirë. Kadare nuk iku për të shpëtuar veten, por për të shpëtuar veprën dhe lirinë e saj. Azili i tij ishte akt intelektual dhe etik: zgjedhja e fjalës së lirë përballë dhunës së heshtur të diktaturës. Historia e ka vërtetuar se shkrimtari që kërkon liri nuk e braktis kombin; ai i shërben atij në mënyrën më të lartë të mundshme”, ka shkruar ai.
Më tej, ai kujtuar edhe polemikat që kishte me shkrimtarin shqiptar.
“Polemika jonë më e njohur lidhej me çështjen e identitetit të shqiptarëve. Ishin mendime të ndryshme, argumente të ndryshme, këndvështrime të ndryshme mbi të njëjtën çështje themelore. Këto mospajtime nuk ishin personale; ato ishin intelektuale dhe kulturore. Megjithatë, siç ndodh ndonjëherë në jetën njerëzore, ato lanë pasoja edhe në raportin tonë personal. Shoqëria jonë u zbeh dhe rrugët tona, mjerisht, nuk u takuan më”, ka vlerësuar ai.
Duke treguar pengun e tij në raport me Kadaren, ai ka treguar se si duhet të sillet shoqëria me trashëgimin e shkrimtarit të madh.
“Ismail Kadare sot nuk ka nevojë për lavde të rastit. Ai ka nevojë për lexim, rilexim dhe kuptim. Ai ka nevojë që vepra e tij të trajtohet me seriozitet shkencor dhe me ndjeshmëri kulturore. Brezat që vijnë mund ta lexojnë ndryshe, por gjithmonë do ta lexojnë. Dhe adhurojnë. Ndarja e tij nga jeta, po rithem, është vetëm ndarje trupore. Emri, vepra dhe mendimi i tij, po rithem, janë të gjithmonshëm. Në këtë 90-vjetor të lindjes së tij, Ismail Kadare, po rithem, mbetet personalitet madhor historik i kulturës shqiptare, një nga figurat që do të vazhdojë të na sfidojë, të na shqetësojë dhe të na frymëzojë. Të kujtoj me mall e nderim miku im, Ismail Kadare. Gjithmonësia jote në shpirtin e në mendjen time është gjithmonësi, përjetësi, amshim. Është gjithmonësi madhështore: është e kaluar, e sotme dhe e ardhme”, ka shkruar ai.
