Procesi i imunizimit po vazhdon normalisht në qendrën e vaksinimit “Fehmi Agani” në Gjakovë. Interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar është mjaft i vogël.
Nga 18 mijë të vaksinuar sa kishte të regjistruar gjatë javës së kaluar, këtë javë nga e hëna e deri sot, numri i të vaksinuarve është rreth 4 mijë qytetarë.
Njëri nga qytetarët që u vaksinua sot ndihet i kënaqur me shërbimet që ofrohen këtu duke potencuar se janë mjaft efikase.
Mirëpo pati edhe të atillë të cilët edhe pse kishin zgjedhur të vaksinohen, nuk e bënë një gjë të tillë, në momentin kur nga punëtorët shëndetësor ju tha se vaksinë Pfizer nuk ka për dozën e parë.
“Këtë javë interesimi për vaksinim ka qenë më i vogël. Kemi punuar me doza të para AstraZeneca dhe me doza të dyta Pfizer. Shumica e qytetarëve kanë hezituar të marrin AstraZenekën, pasi që përkundër që janë regjistruar në sistem e kanë lënë herën tjetër të vijnë kur të ketë doza të vaksinës Pfizer ”, ka deklaruar për TV Syri Vision Makfirete Berisha, kryeinfermiere në qendrën e vaksinimit “Fehmi Agani”.
Edhe gjatë kësaj të diele qendra e vaksinimit nuk do të punojë, e nëse të dielën e ardhshme do të punojë ashtu siç ka rekomanduar Ministri Vitia, mbetet të shihet në vendimin e radhës.