Ushtria austriake ka pezulluar operacionet e shpëtimit pas tërmetit në Turqi për shkak të situatës së sigurisë.
Zëdhënësi i ministrisë austriake Michael Bauer shkroi në Twitter se Njësia e Ndihmës për Fatkeqësi të Forcave Austriake (AFDRU) do të jetë e gatshme për operacione të mëtejshme shpëtimi kur mjedisi i punës të bëhet i sigurt.
“Mundësitë për të shpëtuar jetë nuk kanë asnjë lidhje të arsyeshme me rrezikun e sigurisë”, tha nënkoloneli Pierre Kugelweis në një deklaratë të shtunën, shkruan Reuters.
“Ka një agresion në rritje midis grupeve në Turqi”, tha ai.
Agjencia e lajmeve AFP raportoi për përleshje midis grupeve të paidentifikuara dhe se trupat austriake po strehoheshin në një kamp bazë me organizata të tjera ndërkombëtare dhe po prisnin udhëzime.
Autoritetet turke nuk kanë komentuar për ndonjë trazirë në zonë, por presidenti Tayyip Erdogan komentoi situatën e përgjithshme të sigurisë të shtunën, duke vënë në dukje se ishte shpallë një gjendje e jashtëzakonshme dhe se kishte pasë disa grabitje.
“Kjo do të thotë që, që tani e tutje, njerëzit që janë të përfshirë në plaçkitje apo rrëmbime duhet të dinë se dora e fortë e shtetit është mbi kurrizin e tyre”, tha ai gjatë një vizite në rajon.
Kugelweis tha se nuk kishte pasë asnjë sulm mbi austriakët, të cilët ishin gati të kryenin operacione të mëtejshme shpëtimi dhe rikuperimi përpara se të largoheshin siç ishte planifikuar të enjten.
“Ne jemi të gjithë mirë”, tha Kugelweis, duke shtuar se disponimi midis punonjësve të ndihmës mbeti i mirë.