Më shumë se 150 persona janë zhdukur dhe ka frikë se kanë vdekur pas përmbytjes së një barke në veriperëndim të Nigerisë, thanë zyrtarët lokalë.
“Kapaciteti i barkës nuk ishte për 180 pasagjerët që ishin brenda saj. Deri në momentin që po flasim, vetëm 20 persona janë shpëtuar të gjallë, katër janë konfirmuar të vdekur, ndërsa 156 të tjerë ende janë të zhdukur dhe besohet se janë nën ujë”, tha Yusuf Birma, menaxher i një kompanisë që merret me lundrimet në rrugët e brendshme ujore.
“Barka ishte e prodhuar nga druri dhe ishte e vjetër e shumë e dobët. Ata njerëz nuk dëgjuan, kur ne këmbëngulëm që ta zvogëlonin numrin e pasagjerëve që transportojnë me barkat e tyre”, shtoi ai.
Administratori i një distrikti, Abdullahi Buhari Wara, më herët tha se aksidenti ka ndodhur për shkak të mbingarkesës, sepse barka kishte kapacitet vetëm për 80 persona, shkruan The Guardian.
Tragjeditë me barka janë mjaft të shpeshta në rrugët ujore të Nigerisë. Ato ndodhin kryesisht për shkak të mbingarkesës së barkave, motit të lig dhe mungesës së mirëmbajtjes, por rasti i së mërkurës do të ishte një prej aksidenteve më vdekjeprurëse, nëse konfirmohet numri i viktimave.