Përpjekja për t’i kontrolluar kritikat ndaj nipit të tij deputet i kushton me arrest Gecit, dyshohet se kanosi gazetarin Mehmetaj

Përpjekja për t’i kontrolluar kritikat ndaj nipit të tij deputet i kushton me arrest Gecit, dyshohet se kanosi gazetarin Mehmetaj

Ish-deputeti Gani Geci është ndaluar për 48 orë për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj. Arrestimi i tij erdhi pasi Geci publikoi një video duke pritur pranë televizionit ku Mehmetaj po merrte pjesë në një emision. Si nisi e gjitha?

Deputeti i Vetëvendosjes, Fatos Geci, i cili është nip i Gani Gecit, kishte bërë një postim më 11 tetor ku akuzonte katër ish-krerët e UÇK’së në Hagë se janë përgjegjës për 255 vrasje të “atdhetarëve shqiptarë”.

“Paramendoni thonë me mburrje se, nëse nuk je me atë që vrau Behajdin Allaqin dhe 244 atdhetarë të tjerë shqiptarë, atëherë je me Milloshin”, ka shkruar deputeti i Vetëvendosjes.

Këtë postim e komentoi gazetari Lirim Mehmetaj, i cili tha se një shifër të tillë s’e ka dhënë as Gjykata Speciale e për më tepër as Serbia.

“Fatos Geci, nje deputet analfabet i Vetevendosjes, per te cilin eshte e deshmuar para kamerave qe ka problem me artikulim bazik te gjuhes shqipe, e paska akuzuar Hashim Thaçin per 244 vrasje.

Nje shifer te tille nuk e ka dhene as vete Gjykata Speciale. Madje akuze te tille nuk ka bere as Serbia. Ne Beograd do t’jene krenar me Fatos Gecin.

Ky deklarim anti-kombetar dhe kjo akuze e rende mund te vije vec nga nje analfabet i tille. Parakushti per te thene dicka te perafert eshte te mos e njohesh gjuhen shqipe sic nuk e njeh Fatos Geci.

Por, se cka thote ky deputet idiot eshte ceshtje jo fort e rendesishme ne krahasim me faktin se partia e tij (e cila me demek eshte kunder denimit ne Hage) nuk e ben asnje ze ne raport me te.

A nuk ka mbetur nje patriot i vetem ne ate parti? Si s’keni turp qe i jeni nenshtruar nje analfabeti si Fatos Geci? Si nuk guxon nje prej jush te distancohet kjo gjuhe qe s’e gjen as ne Beograd?

Paramendoje, me nje parti te tille kishe do te behet strategjia per lobim nderkombetar. Vec ndaluni e mendojeni tash se cfare strategjie mund te jete ajo”, shkroi Mehmetaj.

Për këtë postim, që s’i pëlqeu Gecit dhe familjes së tij, Mehmetajt i shkuan në zyre.

Për kërcënimet që mori në vendin e tij të punës, Mehmetaj tregoi mbrëmë në televizionin Dukagjini.

“Prej familjes Geci mu dje më kanë thirrë e më kanë thënë që ta heq postimin. Unë i kam thënë jo. Kanë thënë me u taku. I kam thënë: OK. Kanë ardhë në zyre, më kanë thënë me heq postimin, iu kam thënë jo. Njëherë kanë qenë si më komunikativë. Kam thënë jo nuk hiqet. Më kanë thënë me ia ndërru përmbajtjen, iu kam thënë jo.. Ku ju kam thënë që nuk e heq, kanë kërcënuar nëse nuk e heqi. Edhe i kam larguar prej zyrës. Në mëngjes kam shkuar në polici, e kam njoftuar rastin. Kjo është e vërteta e plotë. Kam shkuar në rrugë institucionale”, tha Mehmetaj.

Ndërkohë, për këtë rast shkroi edhe Gani Geci në një postim në Facebook, duke thënë se është takuar me babanë e gazetarit Mehmetaj me disa “ndërmjetësues”.

“Me ndërmjetësimin e Anton Qunit dhe Fadil Hadergjonajt, në restorantin Garden takohen Ismet Mehmetaj, babai i Lirim Mehmetajt, vëllai i Lirimit, Rinori, dhe Gani Geci. Familjet pajtohen dhe zotohen që as Lirim Mehmetaj, as anëtarët e familjes Geci të mos merren me njëri-tjetrin, as përmes shkrimeve dhe as në televizione”, shkroi dje Geci.

Pas këtij shkrimi, Mehmetaj ripostoi postimin e tij për deputetin Fatos Geci.

“Ky është postimi im i djeshëm për Fatos Gecin. Ky postim vazhdon të mbetet i njëjtë siç është publikuar dje, sepse ky postim është i vërtetë. Këtij postimi e asnjë postimi tim tjetër nuk do t’i hiqet kurrë asnjë shkronjë. Unë do të vazhdoj merrem me secilin analfabet që provon të gënjejë e mashtrojë publikisht, siç jam marrë deri më sot. Veçanërisht me analfabetët e pushtetit”, shkroi Mehmetaj.

Në mbrëmje, Mehmetaj ishte i ftuar në emisionin “Debat Plus” në televizionin Dukagjini. Për këtë arsye pranë objektit të këtij televizioni kishte shkuar me veturë Gani Geci, i cili vetë njoftoi përmes një videoje të publikuar se është duke pritur.

Përveç tij, para objektit po qëndronte edhe policia.

“Të dashur miq, unë jam këtu përpara Dukagjinit, jam duke pritur se mos rastësisht dikush po e përmend emrin tim. Këtu jam unë, atje më larg e paskan thirrë policinë. Unë nuk kam punë me policinë, unë e kam nijet me u inkuadru edhe prej sokaku, vallahi edhe prej sokaku i mbaj. Sepse ata e mbrojnë rrenën e unë e mbroj të vërtetën. E këtë rrenën që e mbroj unë nuk ka as bir nëne që mundet me e rrëzu sepse rrena harrohet, e vërteta kurrë”, tha Geci në këtë video.

Pas kësaj Geci u arrestua nga policia për veprën penale “kanosje”.

 Për këtë, policia njoftoi sot në raportin 24-orësh, duke njoftuar se Geci gjendet në ndalim 48-orësh.

“Me 13.10.2026 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale ,,kanosje ’’ ndaj  viktimës mashkull kosovar-gazetar. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit,  të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48-orë”.

Pas lajmit të arrestimit të Gecit, Mehmetaj reagoi përmes një postimi në Facebook: “E Verteta Gjithmone”.

Në mbrojtje të gazetarit Mehmetaj dolën shumë kolegë të tij gazetarë dhe disa deputetë.

Nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku e PDK’së, tha se liria e shprehjes nuk kushtëzohet nga leja e askujt, e aq më pak nga një gjykim sipas kanunit. Çitaku tha se mospajtimet janë normale në një një shoqëri demokratike.

“Nuk kemi pse të pajtohemi për gjithçka, as të mendojmë njësoj. Por t’i vërsulemi Lirimit për deklaratat e tij publike dhe të kërkojmë që ai të japë “besë” apo “mirëbesim” sipas kanunit, është antidemokratike, antikushtetuese dhe çnjerëzore. Liria e shprehjes nuk kushtëzohet nga leja e askujt, e aq më pak nga një gjykim sipas kanunit. Gani Geci, po ta them qartë: nuk marrim leje prej teje, kurrë, për ta mbrojtur UÇK-në dhe luftëtarët tanë në Hagë. UÇK-ja është histori e popullit tonë. Luftëtarët tanë nuk janë pronë e askujt. Mbrojtja e tyre nuk kërkon lejen e askujt dhe as nuk mund të vihet nën kontrollin e askujt”, shkroi Çitaku.

Sulmet ndaj gazetarëve i cilësoi alarm për demokracinë edhe i pari i Prishtinës, Përparim Rama.

Në një postim sot, Rama tha se ka kohë që gazetari Lirim Mehmetaj përballet me sulme, montazhe denigruese dhe kërcënime të drejtpërdrejta.

“Në një shtet ku gazetari trajtohet si armik, kundërshtari politik si shënjestër atëherë kufiri mes demokracisë dhe autokracisë shembet. E të gjithë ata që sot, janë në delir nga pushteti, refuzojnë ta shohin se drejt çfarë sistemi po rrëshqet kjo shoqëri, duhet ta kuptojnë se çmimin e shkatërrimit të demokracisë nuk e paguajnë vetëm ata që sot sulmohen. Do ta paguajmë të gjithë! Sot mund të jetë gazetari. Nesër kundërshtari politik. Pasnesër secili qytetar që guxon të mendojë ndryshe!  Liria që është fituar me aq shumë mund, sot po minohet në çdo dimension të saj!”, ka shkruar Rama.

Ndërkohë, për këtë rast ende nuk ka pasë reagim nga Lëvizja Vetëvendosje apo edhe nga deputeti Fatos Geci.

Related Articles