Debati i parë televiziv për Prishtinën solli një përplasje të drejtpërdrejtë mes kryetarit aktual dhe kandidatit të LDK-së, Përparim Rama, dhe kandidatit të PDK-së, Uran Ismaili, rreth temës së sigurisë publike dhe trajtimit të qenve endacakë në kryeqytet.
Polemika nisi pasi Ismaili përmendi rastin e një nëne, karroca e fëmijës së së cilës ishte sulmuar nga qentë endacakë, duke e përdorur si shembull të mungesës së reagimit të komunës. Ai tha se situata në lagje të ndryshme të Prishtinës po rrezikon qytetarët dhe se kryeqyteti nuk ofron siguri bazike për familjet.
Në përgjigje, Rama reagoi, duke thënë se gjatë katër viteve të tij në krye të komunës “janë bërë punë të mëdha”, ndërsa e akuzoi rivalin për mungesë angazhimi real.
“Duhet edhe një emision për monologje, kush po të jep informata të pasakta se po del shumë keq këtu, të vërtetat janë faktike. Ti që shitesh që ta ninë për Prishtinën e rri tu pi kafe, ne kemi punuar Uran” – iu drejtua Rama.
Ismaili u përgjigj se deklaratat e tij nuk kishin karakter personal, por pasqyronin përjetimet e përditshme të qytetarëve të Prishtinës.
“Po flas për qytetarët që sulmohen. Unë kam vajzën 14 vjeçare që e kam përcjell për në shkollë për një vit për shkak të qenve endacakë në Bregun e Diellit. Si unë janë edhe shumë prindër të tjerë në Prishtinë që duhet t’i bartin fëmijët e tyre. Kam takuar edhe një doktoreshë në Ulpianë e cila thotë se duhet të marrë taksi për të shkuar në QKUK. Rrëfimet e Prishtinës janë rrëfime të sinqerta, nuk kanë të bëjnë me çështje në qoftë se unë dhe ti po merremi vesh apo jo”, tha Ismaili në “Rubikon” në Klan Kosova.