Një luftanije e Forcave Detare Mbretërore të Britanisë së Madhe, që ishte në patrullim në pjesën veriore të Oqeanit Atlantik, është përplasur me një nëndetëse ruse, konfirmoi Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.
Luftanija “HMS Northumberland” kishte qenë duke e përcjellë nëndetësen, kur kjo e fundit ia goditi hidrolokatorin – pajisje që tërhiqet qindra metra pas anijes.
Incidenti që ndodhi në fund të vitit 2020, ishte parë nga një ekip televiziv që po incizonte një dokumentar. Një burim brenda Ministrisë së Mbrojtjes në Britani tha se ka pak gjasa që përplasja të ketë qenë e qëllimshme.
Luftanija “HMS Northumberland” ishte duke e kërkuar nëndetësen në Qarkun e Arktikut, pasi ajo i ishte zhdukur nga radari, sipas kanalit “Channel 5”, që ishte duke e incizuar dokumentarin, shkruan BBC, përcjell Gazeta Express.
Helikopteri i luftanijes britanike e kishte vërejtur periskopin e nëndetëses mbi sipërfaqen e ujit para se nëndetësja të zhytej përsëri nën ujë, duke e goditur hidrolokatorin e anijes.
Nuk është e qartë nëse nëndetësja ruse ka pësuar dëmtime ose çfarë dëmesh ka pasur, por luftanija britanike u desh të kthehej në një port në Skoci për ta ndërruar pajisjen e dëmtuar.
Viteve të fundit është vërejtur rritje e aktivitetit të nëndetëseve ruse dhe luftanijet britanike rregullisht patrullojnë në pjesën veriore të Oqeanit Atlantik.