Përplasja e djeshme, Berat Lahu akuzon Vetëvendosjen në Prishtinë se po shpif kundër tij

Përplasja e djeshme, Berat Lahu akuzon Vetëvendosjen në Prishtinë se po shpif kundër tij

Asamblisti i VV-së në Prishtinë, Berat Lahu, i ka reaguar degës së kësaj partie në Prishtinë pasi mbrëmë lëshuan një komunikatë për ngjarjet në Kuvendin Komunal të kryeqytetit. Lahu ka thënë se kjo komunikatë “nuk është aspak e denjë” dhe se përmban vetëm shpifje.

“Për ngjarjen e djeshme në Kuvendin komunal, dje pasdite Qendra e VETËVENDOSJE-s! në Prishtinë ka lëshuar një komunikatë që nuk është aspak e denjë për subjektin më të madh në Prishtinë. Lëvizja Vetëvendosje, komunikatat gjithmonë i ka bazuar në fakte përderisa kjo e djeshmja përmbanë vetëm shpifje.”

Lahu ka mohuar që e ka implikuar kryeministrin Kurti, derisa ka shtuar se e ka “shprehur mllefin që shumë herë është abuzuar me emrin e tij e të kryesisë qendrore, ashtu si në rastin e turpshëm të këmbimit të pronave në Badoc”.

Ai po ashtu ka thënë se kryesia e qendrës së VV’së në Prishtinë ka marrë vendim që të votohet buxheti në mënyrë që të mos shkohet në zgjedhje të parakohshme.

“Në komunikatën e djeshme akuzohem për kontrabandim të Buxhetit e mundësim të realizimit të interesave të Devollëve – deklarime të cilat asnjëra nuk qëndrojnë. Për votimin e Buxhetit, tashmë kryesia e qendrës dhe vet Gëzim Sveçla kanë marrë vendim që të votohet në mënyrë që të mos shkohet në zgjedhje të parakohshme, ndërsa për zgjerimin e kufirit të zonës ekonomike propozimi ka ardhur gjatë seancës, gjë të cilën në asnjë situatë nuk do ta përkrahja.”

Lahu ka thënë se VV duhet të merret me Egzon Azemin dhe Gëzim Sveçlën.

“Qendra e Prishtinës në vend se të bëjë akuza të pabaza kundër meje do të duhej të merrej me Egzon Azemin, i cili në seancën e djeshme duke e ditur se kamerat kanë qenë të kthyera nga ne, është afruar me vetëdije dhe ka provokuar. Njësoj është dashur të merren masa edhe ndaj Gëzim Sveçlës, që në rastin e Badocit, duke spekuluar në emër të kryesisë qëndrore mundësoi kuorumin për miratimin e vendimit të shkëmbimit të pronave në Badoc.”

Në fund ai ka thënë se beson në VV dhe në kryeministrin Kurti, dhe ka kërkuar nga strukturat e partisë së tij “që t’i trajtojnë këto shpifje të pabaza dhe të merren masat përkatëse”.

Related Articles